Kjo Marrëveshje e subjektit tregtar për shërbimet e përpunimit të pagesave të financuara me kartë në PayPal (“Marrëveshje e subjektit tregtar” ose "CEA") lidhet ndërmjet të gjithë përdoruesve të PayPal që janë subjekte tregtare (siç përkufizohet nga Visa Europe, Visa Inc, Visa International, Mastercard Worldwide, UK Maestro, Solo dhe/ose International Maestro (të gjithë së bashku "Shoqatat")). Çdo përdorues i tillë i PayPal referohet si "Tregtari" dhe mund të referohet në vijim si "ju" dhe/ose "juaj". Kjo CEA përbën një kontratë më vete, ligjërisht detyruese, për përpunimin e kartave të debitit dhe kreditit për transaksionet në PayPal ndërmjet jush dhe Përfituesit (siç përkufizohet më poshtë).
Për qëllime të kësaj CEA, "Përfituesi" është (a) Worldpay (UK) Limited nëse Tregtari është i vendosur në Evropë; dhe/ose (b) Worldpay PTE Ltd nëse Tregtari është i vendosur në Singapor; dhe/ose (c) Worldpay (HK) Limited nëse Tregtari është i vendosur në Hong Kong; dhe/ose (d) Citizens Bank, N.A. nëse Tregtari është i vendosur në Shtetet e Bashkuara dhe/ose (d) Worldpay PTY. Ltd nëse Tregtari është i vendosur në Australi. Në këtë CEA "ne", "neve" dhe "jonë" i referohen Përfituesit.
Në përputhje me dispozitat e kësaj CEA, Përfituesi mund të ndërpresë ofrimin e shërbimeve të përpunimit të kartave të kreditit dhe debitit dhe t'i kërkojë PayPal që të zbatojë cilëndo prej dispozitave të marrëveshjeve të Tregtarit me PayPal ("Marrëveshja me PayPal"), të lidhura nga dhe ndërmjet Tregtarit dhe PayPal.
Tregtari bie dakord me kushtet e përgjithshme të kësaj CEA. Gjithashtu, Tregtari bie dakord se kjo CEA përbën një kontratë ligjërisht detyruese ndërmjet Tregtarit dhe Përfituesit; PayPal nuk është palë në këtë kontratë dhe vepron vetëm si agjent i Përfituesit në lidhje me këtë kontratë. Nëse ne propozojmë ndryshimin e kësaj CEA në mënyrë thelbësore, PayPal do t'ju njoftojë paraprakisht, nga ana e saj, të paktën 30 ditë (ose aq sa është periudha minimale që kërkohet nga ligji) përpara ndryshimit. Pas përfundimit të periudhës së njoftimit, do të konsiderohet se keni rënë dakord me ndryshimet në CEA. Për të ndryshuar këtë CEA, por jo në mënyrë thelbësore, PayPal do të postojë, nga ana e saj, një version të rishikuar të CEA në faqet e saj të internetit, dhe ky version i rishikuar hyn në fuqi në momentin e postimit nga PayPal. Nëse nuk bini dakord me ndonjë nga ndryshimet e propozuara, mund të mbyllni llogarinë tuaj në PayPal përpara përfundimit të periudhës së njoftimit të specifikuar në njoftim, ose në përputhje me kushtet e Marrëveshjes me PayPal, dhe kjo CEA do të zgjidhet me mbylljen e llogarisë. Ndryshimet në këtë CEA do të konsiderohen si "thelbësore" nëse përfshijnë një reduktim të të drejtave ose rritje të përgjegjësive tuaja.
- Qëllimi i CEA. Kur klientët tuaj ju paguajnë përmes PayPal, ata kanë opsionin për t'ju paguar përmes një burimi financimi të mundësuar nga PayPal, duke përfshirë një kartë. Në shumicën e rasteve, ju nuk do e dini burimin e financimit të përzgjedhur nga klienti juaj. Duke qenë se ju mund të jeni marrësi i një pagese të financuar me kartë, Shoqatat kërkojnë që të hyni në një marrëveshje kontraktuale të drejtpërdrejtë me një përfitues që është anëtar i Shoqatave. Duke hyrë në këtë CEA, ju përmbushni kërkesën e Shoqatës dhe bini dakord që të zbatoni rregullat e Shoqatës që lidhen me pagesat e marra prej jush përmes shërbimit të PayPal.
- Detyrimet e Përfituesit.
- Detyrimet e Përfituesit sipas kësaj CEA janë të kufizuara ekskluzivisht në përpunimin e transaksioneve me kartë të tregtarit në territorin ku ky i fundit është i vendosur si dhe në marrjen dhe disbursimin e fondeve përkatëse në PayPal për llogarinë e tregtarit ("Shërbimet përfituese"). Të gjitha detyrimet e tjera që lidhen me ofrimin e shërbimeve sipas Marrëveshjes me PayPal janë përgjegjësi e PayPal dhe çdo problem, pakënaqësi, mosmarrëveshje dhe/ose mosmarrëveshje e Tregtarit mbi shërbimet që i janë ofruar këtij të fundit, duhet t'i komunikohet dhe t'i sillet në vëmendje në radhë të parë PayPal.
- Përfituesi, duke ju nënshtruar kushteve të kësaj CEA dhe Marrëveshjes me PayPal, do të nisë një pagesë në llogarinë e përcaktuar (që i bëhet e ditur Përfituesit nga PayPal) në shumë të barabartë me atë të transaksioneve me kartë të përpunuara nga Përfituesi për Tregtarin sipas kësaj CEA (minus zbritjet për rimbursimet, gjobat, vlerësimet, kthimet e pagesës, kostot e kthimit, tarifat ose detyrimet e tjera të Tregtarit (ekzistuese ose të parashikuara), në përputhje me këtë CEA ose Marrëveshjen me PayPal). Çdo detyrim i Përfituesit për të dërguar fondet sipas kësaj CEA është subjekt i të drejtave të Përfituesit sipas marrëveshjes së tij me PayPal.
- Tregtari bie dakord se pagesa e bërë nga Përfituesi në PayPal sipas kësaj CEA do të konsiderohet si e mirë e marrë nga Tregtari për shumat që i detyrohet Përfituesi në lidhje me detyrimet e këtij të fundit ndaj Tregtarit sipas kësaj CEA. Tregtari dëmshpërblen Përfituesin në çdo moment ndaj të gjitha humbjeve, kostove, pretendimeve, kërkesave, shpenzimeve (duke përfshirë ato ligjore) dhe detyrimeve të çdo natyre (duke përfshirë detyrimet e rizgjidhjes sipas rregullave të Shoqatës) që lindin nga ose lidhur me çdo pagesë të fondeve nga Përfituesi në një llogari në emër të PayPal në përputhje me kushtet e kësaj CEA.
- Gjatë afatit të kësaj CEA dhe pas zgjidhjes së saj për çfarëdolloj arsyeje, Përfituesi gëzon të drejtën të shtyjë (për një periudhë të arsyeshme sipas gjykimit të tij) datën e lindjes së detyrimit (për këtë klauzolë) për pagesën e fondeve në transaksionet me kartë, me qëllim që të mbrojë pozicionin e tij lidhur me kthimet e pagesës, gjobat, vlerësimet, rimbursimet, kostot e kthimit, tarifat, ekzistuese ose të parashikuara, mashtrimet, aktivitetet e paligjshme, ose të shtyjë çdo detyrim tjetër të Tregtarit, ose që lidhet me transaksionet me kartë ose në përputhje me këtë CEA ose me PPA, qoftë ekzistues ose të parashikuar. Shumat e shtyra mund të zbriten nga kthimet e pagesës, gjobat, vlerësimet, rimbursimet, kostot e kthimit, tarifat ose çdo detyrim tjetër ekzistues i Tregtarit. Tregtari kupton dhe pranon se gjatë afatit të kësaj CEA dhe pas përfundimit të saj për çfarëdolloj arsye, Tregtari vazhdon të mbajë përgjegjësi të plotë për të gjitha kthimet e pagesës, kostot e kthimit, rimbursimet, gjobat, vlerësimet, tarifat, mashtrimet dhe aktivitetet e paligjshme që rezultojnë në çfarëdo mënyre nga transaksionet me kartë të përpunuara sipas kësaj CEA si dhe për të gjitha shumat e tjera të pagueshme në atë moment ose në të ardhmen në përputhje me CEA ose Marrëveshjen me PayPal.
- Rregullat e shoqatës.
- Transaksione depozitimi. Tregtari bie dakord se do të pranojë pagesa vetëm përmes shërbimeve të përpunimit të PayPal për transaksionet në mirëbesim ndërmjet Tregtarit dhe klientit të tij për shitjen e mallrave ose shërbimeve. Tregtari nuk do të realizojë një transaksion për rifinancimin ose transferimin e një detyrimi ekzistues të paarkëtueshëm. Tregtari pranon se për pagesat me Visa dhe Mastercard, PayPal duhet të marrë një autorizim për shumat e transaksionit përpara realizimit të transaksionit.
- Transaksionet e ndara. Tregtari bie dakord se nuk do të ndajë vlerën e shitjes në dy (ose më tepër) shuma për të shmangur marrjen e autorizimit për shumën e plotë. Megjithatë, në rastet kur Tregtari dhe mbajtësi i kartës bien dakord për transport të pjesshëm të produktit, ose kur transaksioni bën pjesë në kategorinë e dërgimit me vonesë ose depozitave për porosi të veçanta (si p.sh. transport i pjesshëm bazuar në inventarin aktual), atëherë shitja mund të ndahet në disa transaksione.
- Shumat minimale ose maksimale/Pagesat shtesë. Tregtari bie dakord se nuk do të vendosë shuma minimale ose maksimale për transaksionin dhe as tarifa shtesë si kusht për përdorimin e kartave Visa dhe Mastercard, përveçse kur diçka e tillë lejohet në juridiksionin përkatës ku realizohet transaksioni.
- Simbolet e Visa dhe Mastercard. Tregtari është i autorizuar dhe duhet të përdorë logot ose shenjat e Visa dhe Mastercard në faqen e internetit dhe materialet promocionale të tij për të treguar se kartat Visa dhe Mastercard pranohen si burime financimi për transaksionet me PayPal.
- Diskriminimi. Tregtari bie dakord se nuk do të përfshihet në asnjë praktikë që diskriminon ose dekurajon përdorimin e kartave Visa dhe Mastercard në favor të një marke tjetër, përveçse kur diçka e tillë lejohet në juridiksionin përkatës ku realizohet transaksioni.
- Qasja në të dhënat e mbajtësit të kartës. Tregtari pranon se në rastet kur ka qasje në të dhënat e mbajtësit të kartës (si numri i kartës së mbajtësit, data e skadimit dhe CVV2), do të veprojë në përputhje me standardet e sigurisë së të dhënave të Këshillit të Standardeve të Sigurisë të Industrisë së kartave të pagesave (ose të çdo organi zëvendësues), me standardet e Visa ose Mastercard, duke përfshirë me Standardet SSC të Industrisë së kartave të pagesave. Gjithashtu, ju bini dakord që të përmbushni standardet për sigurinë e të dhënave të kërkuara nga PayPal sipas Marrëveshjes me PayPal, në përputhje me ndryshimet që mund të ndodhin herë pas here. . Në rast se Tregtari merr të dhëna të mbajtësit të kartës në lidhje me shërbimet e përpunimit të PayPal, atëherë ai bie dakord se nuk do t'i përdorë të dhënat e mbajtësit të kartës për asnjë qëllim, për të cilin ka dijeni ose duhet të ketë dijeni, që përbën mashtrim ose shkel rregullat e Shoqatës. Gjithashtu, tregtari bie dakord se nuk do të shesë, blejë, ofrojë ose shkëmbejë në asnjë lloj mënyrë, apo publikojë të dhënat e mbajtësit të kartës te asnjë palë tjetër përveç përfituesit të tij, Visa ose Mastercard (sipas rastit) ose vetëm në rastin e një kërkese nga qeveria.
- Identifikimi i tregtarit. Tregtari bie dakord që të informojë në mënyrë të qartë dhe të saktë mbajtësin e kartës mbi identitetin e Tregtarit në të gjitha pikat e bashkëveprimit, duke përfshirë vendndodhjen (adresën fizike) e Tregtarit, me qëllim që mbajtësi i kartës të përcaktojë me lehtësi nëse do të ketë të bëjë me një transaksion të brendshëm apo ndërkufitar.
- Kthimet e pagesës. Tregtari përdor të gjitha metodat e arsyeshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet me mbajtësin e kartës. Nëse lind një mosmarrëveshje mbi kthimin e pagesës, Tregtari zbaton menjëherë të gjitha kërkesat për informacion nga PayPal. Tregtari nuk tenton të rifaturojë mbajtësin e kartës për një artikull, paratë e të cilit i janë kthyer mbajtësit të kartës, përveçse kur ky i fundit e ka autorizuar diçka të tillë.
- Politika e rimbursimit të Tregtarit duhet të jetë e disponueshme në faqen e tij të internetit. Nëse Tregtari kufizon kushtet e rimbursimit/shkëmbimit ose kushte të tjera specifike për shitjet me kartë, atëherë politika e Tregtarit duhet t'i paraqitet qartësisht mbajtësit të kartës përpara shitjes dhe Tregtari duhet të veprojë në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi dhe rregullat e Shoqatës.
- Auditimi. Tregtari duhet t'i japë menjëherë Përfituesit, me kërkesë të këtij të fundit, informacionet e kërkuara në mënyrë të arsyeshme prej Përfituesit, me qëllim që Përfituesi të realizojë të gjitha detyrimet e tij, dhe/ose të vlerësojë rreziqet e tij financiare dhe të sigurimit në lidhje me shërbimet e ofruara, dhe/ose të vlerësojë pajtueshmërinë e Tregtarit me kushtet e CEA dhe/ose rregullave të Shoqatës.
- Afati dhe zgjidhja e marrëveshjes. Kjo CEA hyn në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes ndërmjet PayPal dhe Tregtarit dhe vazhdon të qëndrojë në fuqi për sa kohë që qëndron në fuqi edhe Marrëveshja me PayPal ndërmjet Tregtarit dhe PayPal por zgjidhet automatikisht, pa njoftim, në momentin e zgjidhjes së Marrëveshjes me PayPal, për çfarëdolloj arsyeje, me kusht që të vazhdojnë të mbeten në fuqi ato kushte të cilat janë hartuar për të mbetur në fuqi edhe pas zgjidhjes së marrëveshjes (duke përfshirë, pa kufizim, detyrimet e dëmshpërblimit dhe kufizimet e përgjegjësisë). Kjo CEA mund të zgjidhet nga Përfituesi në çdo moment, në rastin e shkeljes së një prej detyrimeve të Tregtarit sipas kësaj CEA ose Marrëveshjes me PayPal, ose nga Tregtari në rastin e shkeljes së një prej detyrimeve të Përfituesit sipas kësaj CEA, ose nga Përfituesi në rastin e zgjidhjes së marrëveshjes për shërbimet përfituese të lidhur ndërmjet PayPal (ose grupit të saj përkatës të kompanisë) dhe Përfituesit, me njoftim të Tregtarit.
- Dëmshpërblimi. Tregtari bie dakord që të dëmshpërblejë dhe të mbajë të padëmtuar Përfituesin nga të gjitha humbjet, detyrimet, dëmet dhe shpenzimet që rrjedhin nga: (a) çdo shkelje e garancisë, angazhimit ose marrëveshjes, ose nga çdo keqinterpretim nga ana e Tregtarit, në përputhje me këtë CEA; (b) pakujdesia ose shkelja me dashje nga ana e Tregtarit ose e punonjësve të tij; (c) ofrimi i mallrave dhe shërbimeve nga Tregtari për mbajtësit e kartës ose klientët; (d) përdorimi i shërbimit të PayPal nga Tregtari; ose (e) që rezultojnë nga gjobat ose që lindin nga dëmshpërblimet që duhet t'i japë Përfituesi një pale të tretë si pasojë e veprimeve të Tregtarit (duke përfshirë dëmshpërblimet e një Shoqate ose banke që lëshon karta).
- Transferimi/Ndryshimet. Kjo CEA nuk mund të transferohet nga Tregtari pa miratimin paraprak me shkrim të Përfituesit. Përfituesi mund të transferojë të drejtat e tij të parashikuara në këtë CEA pa miratimin e Tregtarit.
- Deklaratë për mohimin e përgjegjësisë së garancisë. Kjo CEA është një marrëveshje shërbimi. Përfituesi mohon të gjitha format e garancive, të shprehura ose të nënkuptuara, për Tregtarin ose një person tjetër, duke përfshirë pa kufizim, të gjitha garancitë që lidhen me cilësinë, përshtatshmërinë, tregtueshmërinë, përputhshmërinë për një qëllim të caktuar ose për shërbimet apo mallrat e ofruara në mënyrë rastësore për shërbimet e ofruara sipas kësaj CEA, deri në masën që e lejon ligji.
- Kufizimi i përgjegjësisë. Pavarësisht nëse parashikohet ndryshe në këtë CEA, Përfituesi ose asnjë prej drejtorëve, nëpunësve, punonjësve, agjentëve ose nënkontraktorëve të tij, në asnjë rast, nuk do të konsiderohen përgjegjës sipas konceptit të gabimit, kontratës, përgjegjësisë absolute ose ndonjë koncepti tjetër ligjor për fitimet e humbura, të ardhurat e humbura, mundësitë e humbura për biznes, dëmet ekzemplare, ndëshkuese, të veçanta, rastësore, indirekte ose të mëvonshme, të cilat janë të gjitha të përjashtuara me marrëveshje ndërmjet palëve, pavarësisht nëse këto dëme kanë qenë të parashikueshme ose nëse Përfituesi është këshilluar për mundësinë e shkaktimit të këtyre dëmeve. Pavarësisht nëse parashikohet ndryshe në këtë CEA, Përfituesi nuk do të jetë përgjegjës në asnjë rast për vonesat ose gabimet në kryerjen e shërbimeve, të shkaktuara nga ngjarjet jashtë kontrollit të arsyeshëm të Përfituesit ose nga ofruesit e tij të shërbimeve apo nga palët e treta, duke përfshirë PayPal. Pavarësisht nëse parashikohet ndryshe në këtë CEA, përgjegjësia kumulative e Përfituesit për të gjitha humbjet, pretendimet, paditë, divergjencat, shkeljet ose dëmet për çfarëdolloj shkaku që lind ose lidhet me këtë CEA dhe pavarësisht modelit të masave ose konceptit ligjor, dhe pavarësisht nëse lindin si pasojë e kontratës ose gabimit (duke përfshirë pakujdesinë), nuk tejkalon shumën totale të të gjithë transaksioneve, të shprehura në dollar amerikanë, të përpunuara nga Tregtari sipas kësaj CEA përmes PayPal. Asnjë dispozitë në këtë CEA nuk përjashton ose kufizon përgjegjësinë e asnjë pale për vdekjen ose dëmtimin personal të shkaktuar nga pakujdesia, mashtrimi ose keqinterpretimi me qëllim mashtrimin, sido që është shkaktuar.
- Heqja dorë. Pamundësia e një pale për të ushtruar një nga të drejtat e saj sipas kësaj CEA, duke përfshirë por pa kufizim, të drejtën e zgjidhjes së kësaj CEA në rastin e shkeljes ose mospërmbushjes nga pala tjetër, nuk do të konsiderohet si heqje dorë e kësaj pale nga të drejtat e saj për të zbatuar çdo dispozitë të kësaj CEA në përputhje me kushtet e saj.
- Marrëdhënia ndërmjet Palëve. Ndërmjet Tregtarit dhe Përfituesit nuk krijohet asnjë agjenci, partneritet, sipërmarrje e përbashkët apo marrëdhënie pune, sipas kësaj CEA. Gjatë realizimit të detyrimeve të tyre përkatëse në këtë marrëveshje, palët janë dhe do të jenë, kontraktues të pavarur. Asnjë pikë në këtë CEA nuk do të interpretohet sikur konsideron një palë si agjent të palës tjetër, pavarësisht qëllimit. Asnjë palë nuk do të detyrojë, dhe as nuk do të tentojë të detyrojë, palën tjetër që të lidhë një kontratë ose të zbatojë një detyrim, dhe asnjë palë nuk do të paraqitet para një pale të tretë me pretendimin se ka të drejta për të hyrë në një detyrim kontraktual në emër të palës tjetër.
- Ndalimi i përdorimit të jashtëligjshëm të shërbimeve. Tregtari nuk do të aksesojë dhe/ose përdorë shërbimet përfituese për qëllime të jashtëligjshme dhe nuk do të ndërhyjë ose pengojë rrjetet e lidhura me këto shërbime.
- Pavlefshmëria e pjesshme. Kurdo që është e mundur, çdo dispozitë e kësaj CEA do të interpretohet sikur është në fuqi dhe e vlefshme në përputhje me ligjin e zbatueshëm, por nëse një dispozitë e saj do të ndalohet ose përcaktohet si e pavlefshme nga një gjykatë e juridiksionit kompetent, atëherë kjo dispozitë nuk do të jetë më në fuqi deri në masën që përcakton ndalimi ose pavlefshmëria, pa shfuqizuar pjesën tjetër të dispozitës ose dispozitat e tjera të kësaj CEA.
- Legjislacioni i zbatueshëm. Kjo CEA (dhe marrëdhëniet e përmendura ose të parashikuara në të) rregullohen dhe interpretohen në përputhje me të drejtën angleze, dhe palët i nënshtrohen juridiksionit ekskluziv të gjykatave të Anglisë dhe Uellsit për çdo mosmarrëveshje që parashikohet këtu.